Kosova

Abrashi e nis fushatën me prioritetin e parë zhvillimin dhe punësimin

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi e ka nisur të hënën fushatën me një takim me komunitetin e biznesit, pasi që sipas tij, zhvillimi, Fondi i Punësimi dhe mirëqenia e qytetarëve janë prioriteti i tij kryesor për Prishtinën metropolitane.

“Jo rastësisht, takimin e parë në kuadër të fushatës zyrtare për balotazhin e 19 nëntorit po e zhvillojmë me ju- komunitetin e biznesit. Fokusi im kryesor si kryetar i komunës së Prishtinës është zhvillimi ekonomik. Këtë zhvillim ekonomik, unë synoj ta arrij nëpërmjet krijimit të një ambienti të përshtatshëm për zhvillimin e iniciativës së lirë. Unë ju garantoj partneritet konkret dhe raporte të sinqerta bashkëpunimi”, ka thënë Abrashi, i cili shoqërohej nga Arbër Vllahiu i AAK-së.

“Programi i qeverisjes së ardhshme 4 vjeçare të komunës së Prishtinës është program konkret dhe real. Ai është hartuar nga ekspertët më të mirë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga ekspertë të pavarur, në bashkëbisedim me shumë prej afaristëve të suksesshëm dhe në bashkëbisedim me qytetarët e komunës së Prishtinës. Qytetarët e komunës së Prishtinës, përmes sugjerimeve dhe kërkesave të tyre konkrete, i kanë dhënë formë dhe përmbajtje programit tim. Ky program tash është shndërruar në kontrate me qytetarët”, ka thënë Abrashi.

Ai ka shtuar se synimi i tij është Zvogëlimin e papunësisë, rritjen e standardit të jetesës, aktivizimi i potencialeve për rritje ekonomike, krijimi i mundësive për investime të reja dhe rritja e konkurrueshmërisë së bizneseve.

Ai ka thënë se programi i tij konsiston në qasjen metropolitane në zhvillim ekonomik të Prishtinës. “Për të arritur këtë synim do të bëhet implementimi i politikave përkrahëse për bizneset dhe qytetarët, përmirësimi i infrastrukturës urbane dhe rurale, përmirësimin e shërbimeve publike, mundësi më të mëdha dhe të barabarta për të gjitha bizneset dhe qytetarët, kushte të përshtatshme për zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mesme, mbështetje specifike për biznese që krijojnë vende të reja të punës, mbështetje e prodhimit bujqësor lokal dhe ekologjik dhe rritje e transparencës dhe eliminimin e burokracisë në komunë.

Abrashi ka thënë se programi i tij parasheh krijimin e zonave ekonomike ku do të ofrohen rregullimi i infrastrukturës së re komunale, rritjen e komunikimit, duke u mundësuar ndërmarrjeve të ndryshme për të bashkëvendosur.

“Po ashtu, ne kemi paraparë lirimin nga pagesa e tatimit në pronë në 1-2 vitet e para, përmirësimin e rrjeteve të logjistikës në shërbim të bizneseve dhe krijimin e hapësirave promovuese të produkteve vendore sepse, ne mendojmë se Zonat ekonomike do të mundësojnë një gamë të aktiviteteve tregtare, shërbyese dhe prodhuese, në një vend dhe njëkohësisht do të bëhet rregullimi i blloqeve urbanistike vetëm për profilet e caktuara të biznesit.

Programi i Abrashit parasheh krijimin e zonave ekonomike rrugës për Fushë Kosovës, në Veternik, rrugës për Mitrovicë, në drejtim të Obiliqit nga Qendra e Panaireve, në drejtim të Podujevës, në drejtim të Graçanicës dhe në zona të tjera publike dhe private.

Abrashi ka thënë se kontrata ime 4 vjeçare me qytetarët e Prishtinës, në funksion të zhvillimit ekonomik konsiston në krijimin e Fondit të Punësimit.

“Gjatë periudhës tonë qeverisëse, do të krijojmë Fondin e Punësimit dhe me implementimin e masave aktive të tregut do të përkrahen punë-kërkuesit si dhe bizneset. Përmes këtyre masave do të ndahen grante për ‘start up’ biznese, grante për zgjerimin e bizneseve, do të bëhet subvencionimi i pagave, ku do të punësohen një numër i madh i punë-kërkuesve në bizneset private. Të rinjtë do të trajnohen në kompani private”, ka thënë Abrashi.

Gjithashtu një kujdes i veçantë do t’i kushtohet edhe grave dhe grupeve të margjinalizuara, të cilët do të përkrahen në masë të madhe dhe të drejtpërdrejtë subvencionim i pagave, vetëpunësimi, praktika në punë dhe trajnim në punë, grante për biznese, grante për start-up dhe inovacion, grante dhe përkrahje profesionale për gratë dhe grupet e margjinalizuara, punë publike, brenda mandatit 4 vjeçar do të përkrahen mbi 30,000 persona duke i dhënë prioritet të rinjve.

Në fjalimin e tij Abrashi ka prezantuar edhe projektin për uljen e tatimit në pronë, zhvillimi e Rajonit të Gollakut, investimet në Parku Nacional “Gërmia”, përkrahje për sektorin e bujqësisë, terminalin multimodal etj. /Kosova.info/

Komentoni