Kosova

AAK i konsideron të vonuara deklaratat e Thaçit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes një njoftimi për media, ka reaguar lidhur me deklaratën e presidentit, Hashim Thaçi, i cili gjatë një konferencë të mbajtur sot, ka kërkuar që Prokuroria të hetojë të gjitha vrasjet gjatë luftës dhe ato të pas luftës në Kosovë.

Deklaratat e tilla të Thaçit, AAK i konsideron të vonuara .

“Vet zoti Thaçi,  që prej vitit 1999, ka qenë personi me mandatin më të gjatë qeverisës në Kosovë, dhe ai këto çështje ka mundur t’i kishte inicuar shumë kohë më parë.  AAK, inkurajon organet e drejtësisë, që t’i hyjnë me themel zbardhjes së të gjitha vrasjeve në Kosovë, pavarësisht përkatësisë etnike dhe politike, por edhe krimeve të tjera, të cilat e kanë dëmtuar qytetarin dhe shtetin e Kosovës”, thuhet më tej në njoftim e AAK-se.

Po ashtu, AAK ka shprehur  shqetësimin e saj, ‘pas bërjes publike të disa deklaratave, për përfshirjen e disa eksponentëve të PDK-së, duke përfshirë edhe ish kreun e saj, Hashim Thaçin, në manipulime financiare përmes sistemit bankar’.

“AAK, kërkon hetim të menjëhershëm të kësaj çështjeje, dhe transparencë para opinionit publik. Prokuroria e shtetit, duhet t’i trajtojë me urgjencë deklaratat e ish guvernatorit, që e implikojnë Hashim Thaçin në manipulime financiare”, vazhdon njoftimi i AAK-së.

Komentoni