Bota

A e ka tepruar Trumpi?

Një britmë indinjate ka përfshirë Amerikën. Pas deklaratave nënçmuese rreth prindërve myslimanë të një ushtari të rënë të ShBA-së, po shtohen kritikat ndaj kandidatit republikan për president Donald Trump.

Korit të kritikëve ndaj deklaratës nënçmuese të Donald Trumpit ndaj familjes së ushtarit të vrarë më 2004 në Irak iu bashkua së fundi edhe presidenti i ShBA-së Barack Obama.

“Si komandant i përgjithshëm i ushtrisë, më vjen keq për „marrëzinë“, që rrëfejnë „disa njerëz“ rreth ushtarëve dhe ushtrisë amerikane”, tha Obama në një fjalim para të mbijetuarve dhe veteranëve në Atlanta. Edhe pse ai nuk e përmendi Trumpin me emër, – ishte e qartë, se për kë bëhet fjalë.

Obama theksoi: „Askush nuk ka dhënë më shumë për lirinë dhe sigurinë tonë se sa familjet „Gold Star“, pra ata që kanë humbur të dashurit e tyre në operacione ushtarake. Këto familje kanë sakrifikuar aq shumë sa që „shumica prej nesh as që mund ta imagjinojë sado pak“.

„Jo pikëpamje“ e republikanëve

Edhe politikanë të rëndësishëm nga Partia Republikane e Trumpit u pozicionuan kundër kandidatit për president.

„Nuk jam në gjendje ta theksoj mjaftueshëm, se „sa pak pajtohem me komentet e zotit Trump“, tha senatori dhe ish-kandidati presidencial John McCain. „Unë shpresoj se amerikanët e kuptojnë se kjo nuk reflekton pikëpamjet e Partisë Republikane, punonjësve të saj ose të kandidatëve“, ka thënë McCain.

Varri i Humayun Khan
Varri i Humayun Khan

Më parë kundër deklaratës së Trump-it u shprehën demonstrativisht edhe lideri republikan i shumicës në senat, Mitch McConnell dhe kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Paul Ryan.

„Sa mirë!“

Babai i ushtarit të vdekur, Khizr Khan, bëri ndërkohë thirrje për pajtim. Në një intervistë me CNN, Khan tha se nuk ishte duke kërkuar ballafaqim me Trump-in. „Ne nuk duam të vazhdojmë me këtë. Kjo nuk është mënyra jonë. Ne jemi një familje e ndershme dhe shumë mirënjohëse për bamirësitë që na janë ofruar.”

Sapo u transmetua intervista Trump-i e paraqiti veten si viktimë të një fushate. „ Zotëria Khan, i cili nuk më njeh, më ka sulmuar me dashakeqësi nga skena e konventës së demokratëve dhe tani ai po vazhdon të njëjtën gjë kudo nëpër televizione. Sa mirë!“, shkroi ai në një mesazh të shkurtër në Twitter.

„Asgjë dhe askënd të viktimizuar“

Khzir Khan mbajti të enjten një fjalim emocional në Kongresin e demokratëve. Në të ai i tërhoqi vëmendjen Trumpit, se nuk ka “sakrifikuar askënd dhe asgjë”. Miliarderi populist e mbrojti veten në një intervistë televizive duke thënë që me të vërtetë ka “sakrifikuar shumë“. Ai ka punuar „shumë, shumë fuqishëm“ dhe ka krijuar dhjetra-mijëra vende pune.

Khzir Khan dhe e shoqja
Khzir Khan dhe e shoqja

Pastaj, Trump bëri komente edhe për gruan e Khan-it, Ghazalan, e cila kur ai mbante fjalimin qendronte në këmbë e heshtur pranë burrit të saj. „Ndoshta asaj nuk i është lejuar të thotë diçka“, tha republikani. Ghazala Khan kundërshtoi: „Feja ime, familja ime ose kultura ime asnjëherë nuk më kanë ndaluar të them atë që dua“, tha ajo.

Kandidati kryesor i republikanëve është shprehur në të kaluarën shpesh me fjalë kritike rreth myslimanëve. Ai madje shkoi aq larg në kontekstin e sulmeve terroriste islamike, sa kërkoi ndalimin e hyrjes të myslimanëve në ShBA. Ndërkohë, ai bën thirrje për ndalimin e hyrjes në ShBA për njerëzit nga “shtetet terroriste”. /kohajone/

Komentoni