Kosova

A do ta sfidojë Shpejtim Bulliqi Agim Veliun për ta marrë Podujevën?

Tashmë janë zyrtarizuar disa nga kandidaturat për kryetar të komunave nga radhët e LDK-së. Figurat e vjetra të kësaj partie që i qeverisin disa prej komunave të Kosovës janë rizgjedhur nga strukturat e LDK-së që të garojnë edhe për një mandat të ri. Pakënaqësitë për këto vendimmarrje i ka shprehur ish deputeti, Shpejtim Bulliqi duke thënë se këta kandidatë tanimë janë konsumuar dhe nuk kanë çfarë t’i japin më shumë qytetarëve dhe komunave ku rikandidojnë. Të njëjtit i akuzon për humbjet e njëpasnjëshme që ja shkaktuan LDK-së duke thënë se në vend që këto struktura të japin llogari ata e nominuan vetveten edhe për një mandat tjetër, duke menduar për vete dhe për kolltukët e tyre.

“Me këto veprime të tyre përveç që po ju mbyllin derën kuadrove të reja, të respektuar të cilët do ta rikthenin besimin e elektoratit të LDK-së, besim të cilin ja humben pikërisht këta individë, sot këta të njejtit fatkeqësisht ia paskan bërë edhe njëherë me dije elektoratit, që mendojnë vetëm për vetveten dhe kolltukun e tyre” është shprehur Bulliqi të premten në FB.

Por, në një bisedë telefonike të shtunën për Express, lidhur më kandidimin e tij për të parin e Podujevës si kandidat i pavaruar apo kandidimin e tij të mundshëm nga radhët e Vetëvendosjes tha se me kohë do të merret vesh dhe se asgjë nuk do të mbahet e fshehtë. Ai nuk e mohoi një gjë të tillë.

“Për çdo gjë me kohë keni me marrë vesh, kurgjë msheft nuk jetë…E kam dhënë një deklaratë në FB dhe për momentin diçka tjetër nuk kam, që ka diçka me kohë do ta merrni vesh”- tha Bulliqi të shtunën për Express.

Edhe pse Bulliqi pati paralajmëruar se nëse nuk i jepet hapësira brenda LDK-së do të largohet nga partia, një veprim të tillë ende nuk e ka bërë. Pavarësisht se kjo parti nuk e ka nominuar për deputetë në zgjedhjet e 11 qershorit, ai ende është pjesë e LDK-së.

Ndërkohë që burime të Express kanë treguar se Vetëvendosje është duke bërë gati një kandidat për ta marrë nën udhëheqje edhe bastionin e LDK’së, Podujevën. Fjala është për ish-deputetin, Shpejtim Bulliqi.

E Agim Veliu po e kërkon edhe një mandat të ri për t’i përfunduar projektet e filluara dhe për të nisur të tjera të reja.

Bulliqi këto kandidime, po i quan në Facebook, klan humbës sistematik të katër palë zgjedhjeve. Duke thënë se veprimet e tyre po ua mbyllin derën kuadrove të reja të cilët do ta rikthenin besimin e elektoratit të LDK-së.

Deri më tani nga kandidatët e LDK-së për kryetar të komunave që pritet të garojnë në zgjedhjet e 22 tetorit janë: Agim Veliu-Podujevë, Lufti Haziri-Gjilan, Muharrem Sfarqa- Ferizaj, Gazmend Muhaxheri- Pejë, Sokol Haliti- Viti, Burim Berisha- Fushë Kosovë, Imri Ahmeti-Lipjan.

Në komunën e Kamenicës është kandiduar Shaip Surdulli, në Suharekë Salih Asllani, në Shtimje-Selim Shabani, Istog- Haki Rugova, Dragash- Selim Kryeziu dhe për kryetar të komunës së Novobërdës kandidat do të jetë Bajrush Imeri.

 

Komentoni