Rajoni

A do ta nënshkruajë Ivanov Ligjin për Shqipen

Me 69 vota pro e asnjë kundër, në sallën e Kuvendit maqedonas, ku mungonin ligjvënësit e VMRO DPMNE-se, iu dha drita jeshile ligjit të gjuhëve, i cili do të zgjidhë ngërçin e hershëm të përdorimit të shqipes në institucionet zyrtare.

Ligji parashikon që veç asaj maqedonase, gjuhë zyrtare në vend të jetë edhe shqipja dhe alfabeti i saj. Ishte pikërisht marrëveshja mes LSDM-së dhe BDI-së mbi këtë temë nevralgjike, që solli në jetë bashkëqeverisjen e tyre, por debatet që kanë rrethuar ligjin, i cili përmbyll më në fund pas shumë zvarritjesh Marrëveshjen e Ohrit, nuk kanë munguar edhe jashtë sallës së Kuvendit.

Në një intervistë për Top Channel, kryetari i grupit parlamentar të BDI, Artan Grubi tregon se çfarë do të thotë ky ligj.

“Ligji e barazon gjuhën shqipe me gjuhën maqedonase në të gjitha organet e pushtetit qendror të Maqedonisë. Do të thotë, me këtë ligj sot Presidenca duhet të flasë shqip, Qeveria duhet të flasë shqip, Kuvendi ka folur shqip, por prapë do të flasë shqip. Do të flasin gjykatat, noterët, prokuroria”, thotë Grubi.

Por, ligji për gjuhët tashmë do të duhet të përballet dhe me një tjetër sfidë, atë të dekretimit nga Presidentit Gjorgje Ivanov, pengesë kjo e cila është e kalueshme për Grubin.

“Nëse Ivanov mban fjalën e thënë në dhjetor të vitit të kaluar, që do të kundërshtojë ligjin për gjuhët, atëherë ky ligj brenda 30 ditëve do të rikthehet në Kuvend në seancë plenare, ku do të rivotohet edhe njëherë me 61 vota pro”, sqaron kreu i grupit parlamentar të BDI-së.

Lajmi për votimin e ligjit për gjuhët në Maqedoni është përshëndetur dhe nga Tirana zyrtare. Presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, kreu i PD, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e kanë cilësuar si një moment historik, jo vetëm për shqiptarët, por dhe për vetë Maqedoninë.

Komentoni