Kosova

82 mijë euro shpërblim për informata të vrasjes së doganierit të EULEX

EULEX-i përkujton përvjetorin e tretë të vdekjes së Audrius Šenavičius, zyrtar doganor i përkushtuar i EULEX-it i cili u vra në krye të detyrës në veri të Kosovës. Zëvendësshefi i Misionit Bernd Thran vendosi kurorë tek vendi ku ai ishte vrarë. 

Tri vite më parë, kolegu ynë Audrius Šenavičius u vra në mënyrë të pakuptimtë gjersa ishte në detyrë në Kosovë. Sot ne nderojmë jetën e Audrius dhe kujtimin për të. Vdekja e tij qe ngjarje tragjike për familjen, miqtë dhe më të dashurit e Audrius – si dhe për vet Misionin. Sot mendimet na shkojnë tek bashkëshortja dhe dy bijtë e tij, të cilët mbetëm pa bashkëshort dhe baba. Ne humbëm një pjesëtar të çmuar të ekipit tonë i cili bëri një sakrificë të fundit në përpjekjen për të krijuar një jetë më të mirë për Kosovën dhe njerëzit e saj. 

“Familja e tij  dhe ne – kolegët e tij – ende nuk e dimë pse dhe prej kujt ishte vrarë. Audrius nuk do t’i kthehet më familjes. Por, ne të gjithë meritojmë të kemi përgjigje. Drejtësia duhet të përmbushet”, tha Shefja e Misionit Alexandra Papadopoulou.

EULEX-i është në kërkim të informatave që mund të ndihmojnë për gjetjen e kryerësve të vrasjes së  Audrius. Diçka që juve mund t’ju duket e vogël apo e parëndësishme, për hetuesit mund të jetë informatë jetike. 

EULEX ofron një shpërblim prej 82. 000 eurosh për informatat që do të çonin në arrestimin e kryerësit apo kryerësve të kësaj vrasje. /KI/

Komentoni