Kuriozitet

67 mijë e 824 japonezë kanë mbi supe mbi 100 vite!

Numri i njëqindvjeçarëve në Japoni është rritur me 2 132 persona ose 3,2 për qind krahasuar me një vit më parë, duke regjistruar një numër prej 67 824 personash, njoftoi sot Ministria japoneze e Shëndetësisë.

“Nga numri i përgjithshëm i njëqindvjeçarëve, gratë përbëjnë rreth 88 për qind të tyre”, njoftoi Ministria e sipëcituar e Shëndetësisë gjatë një deklarate.

Gjatë kohës kur Ministria e Shëndetësisë nisi studimin, në Japoni jetonin vetëm 153 njëqindvjeçarë.

“Numri i tyre arriti në 1 000 në vitin 1983, në 10 000 në 1998 dhe 30 000 në vitin 2007”, njoftoi Ministria e Shendetësisë.

Nabi Tajima, 117 vjeçe, e lindur në gusht të vitit 1900, është gruaja më e vjetër në Japoni, banore e ishullit Kikai, në prefekturën Kagoshima.

Burri më i moshuar është 112-vjeçari Masazo Nonaka, i lindur në korrik të vitit 1905, i cili jeton në ishullin e Hokkaido.

”Personat e moshës 65-vjeçare ose më të vjetër pritet të përbëjnë rreth 38, 4 për qind të popullsisë së përgjithshme në vitin 2065, nga 26,6 për qind në vitin 2015”, sipas Institutit Kombëtar të Studimit të Popullsisë dhe Sigurimeve Shoqërore.

Komentoni