Ekonomi

3000 Vende Pune Ofrohen në Panair

Në Panairin e Punës të hapur në Prishtinë sipas ministrit në detyrë Arban Abrashi do të ofrohen 3 mijë vende pune.

Çdo vit përveç që regjistrohen shumë studentë që të kryejnë studimet bachelor, gjithashtu ka edhe shumë që diplomojnë, por jo të gjithë arrijnë që të kenë një punë në drejtimin që ata e mësojnë.

Astrit Gashi, student i Fakultetit të Ndërtimtarisë në Prishtinë, është absolvent, por ai nuk ka një punë në profesionin e tij.

Atij i duhet që të punojë kamerier, për të siguruar të ardhurat e tij, ndërsa synon që të shkojë në Gjermani që të gjejë punë në ndërtimtari.

Ai është njëri nga shumë studentë që sot vizituan Panairin e Punës që po mbahet në Prishtinë i organizuar nga GIZ-i gjerman dhe Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane në Gjermani.

Interesimi për punësim në këtë panair ishte i madh si nga ana e studentëve ashtu edhe nga persona të tjerë.

“Qef kam më shku në Gjermani, në Kosovë po punoj, ama jo drejtim të caktum, kamarier, e në Gjermani po shpresoj që kam më shku me punu diçka në profesionin tem”, tha Gashi për KALLXO.com.

Ndërsa, ministri në detyrë i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, tha se në këtë panair do të paraqiten rreth 3 mijë vende të lira të punës.

“Kjo është një mundësi e mirë me tregu që në Kosovë ka vende të lira të punës, në Kosovë mund të bëhet biznes që Kosova është vend atraktiv për ofrimin shërbimeve dhe shitjen e shërbimeve”, tha Abrashi.

Në Panairin e Punës po marrin pjesë rreth 100 kompani nga Kosova dhe nga Gjermania, të cilët ofrojnë vende të lira të punës.

Fadil Hoxha kryetar i Odes Ekonomike Gjermane tha se në Kosovë duhet të jetë primar zhvillimi ekonomik.

“Këtu janë dy vetitë më të mira që në Kosovë munden me ndodhë, mos t’i lëmë as një mundësi tjetër vendit tonë përveç zhvillimit ekonomik”, tha Hoxha.

Nazmi Viça përfaqësues i Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane në Gjermani, tha se është i lumtur që kërkesa e këtij unioni për ndihmë të sektorit të punës në Kosovë u është plotësuar dhe se sot kanë mundësi që të punësojnë studentë dhe punëkërkues të tjerë nga Kosova.

“Ne e kemi pa me shqetësim gjendjen e papunësisë në Kosovë dhe jemi shprehë të gatshëm për ndihmë… anëtarët e unionit të bizneseve në 3 vitet e fundit kanë punësuar një numër të madh të studentëve gjatë periudhave semestrale”, tha Viça.

Sipas tij, Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane sot përfaqësohet me 27 kompani në Panairin e Punës.

Rreth 5 mijë punëtorë nga Kosova janë të punësuar në këto kompani në Gjermani.

Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane vitin e kaluar dha 100 bursa për studentët e Universitetit të Prishtinës.

Komentoni