Lajme

1 Shtatori, dita “D” e demarkacionit!

Shkruan: Florim ZEQA

Dita e 1 Shtatorit 2016-të, do të mbahet gjatë në mend, ndoshta përgjithmonë do të ngulitet në kujtesën e shumë gjeneratave, të atyre që përjetuan në shpirtrat e tyre votimin e një kuvendi shqiptar kundër interesave të shumicës shqiptare!

Shqiptarët nga historia kanë mësuar edhe për votime të tjera të dhunshme të kuvendeve si; kuvendi i Prizrenit më 8-10 korrik 1945 (aneksimi i Kosovës nga Serbia), kuvendet e njëpasnjëshme të ish LKJ e deri të kuvendi Kosovës i 23 marsit 1989 (suprimimi i autonomisë së Kosovës, prapë nga Serbia), të mbivotimit të shumicës shqiptare nga deputet e agjent serb të sigurimit, nga shqipfolës e sahanlëpirës të pushtetit.

Në seancën e kuvendit të 1 Shtatorit, përveç agjentëve serbo-malazo-maqedon, do të jenë edhe agjentët dhe spiunët ndërkombëtar, kurse në vend të policisë serbe në kuvend dhe për rreth tij, do të jenë trupat e uniformuar të policisë së Kosovës!

Po ashtu është kjo hera e parë (qoftë e fundit) të shohin shumicë deputetësh shqiptar që votojnë kundër interesave të popullit të vet, dhe një shumicë tjetër deputetësh shqiptar në mbrojtje të integritetit, sovranitetit e kushtetutshmërisë së vendit të tyre!

Do të mbahet gjatë në kujtesën e qytetarëve të Kosovës heroizmi i deputetëve shqiptar në mbrojtje të rendit kushtetues, sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit…do të jehojë gjatë në veshët e qytetarëve të Kosovës zëri kumbues i thirrjes së qytetarëve drejtuar deputetëve; “mos e votoni, mos e votoni demarkacionin,…ju lutem mos e votoni ketë marrëveshje të dëmshme”.

Zëri i ndërgjegjes qytetare duhet të trokas në zemrat dhe shpirtrat e të gjithë deputetëve shqiptar, qofshin ata në pushtet dhe opozitë.

Derisa të tjerët, të varurit e “Bosëve” partiak, deputetit e ardhur në kuvend me votën e lirë (vjedhur) të popullit, i ftoj të mos bëhen të verbër e shurdhmemec, injorant e të papërgjegjshëm karshi një të keqeje të madhe, të cilët me votën e tyre mund ta bëjnë një gabim të pariparueshëm për vendin.

Do të ishte e palogjikshme nga ana e deputetëve që votojnë pro-demarkacionit, që nesër të thonë; se ky ishte një imponim nga bashkësia ndërkombëtare apo  gabim i pavetëdijshëm i tyre, ngase (pa)qartësia e marrëveshjes politike Thaçi-Mustafa me autoritetet malazeze, duhej të ishte motiv shtesë dhe shkas për votim kundër apo abstenim në votim të marrëveshjes fatkeqe për vendin

Po të ishte vetëm një grup i vogël njerëzish të shitur në ketë vend, siç prejudikohet në presidentin, kryeministrin, komisionin qeveritar për demarkacion, etj.,…atëherë kjo do të ishte e keqja më e vogël dhe lehtë e tej kalueshme, por këtu kemi të bëjmë më një klasë politike servile e të dirigjuar nga “Bosët” e tyre partiak, varësia e të cilëve ndaj faktorit ndërkombëtar i kalon kufijtë e vasalitetit, të cilët janë shndërruar në robër të politikave antishqiptare.

Përderisa legjislatura e tretë e pasluftës e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në ditën “D” të 17 shkurtit 2008 votoi për simbolet antikombëtare të shtetit, paraprakja dhe kjo e tanishmja shkuan edhe më larg me votimet antikushtetuese të legalizimit të strukturave pushtuese në veri të vendit përmes të ashtuquajturit “Asociacion” i komunave serbe, që praktikisht i bie ndarje e sovranitetit të shtetit më pushtuesit serb, terminologjia përfundimtare e të cilit do të votohet prapë në një ditë “D” në kuvendin e Kosovës.

Padyshim shqiptarët e Kosovës do të dëshironin, që e krejt kjo të ishte një ëndërr e keqe për shtetin, nga ankthi i së cilës do të liroheshin në realitetin e shtetit për të cilin sakrifikuan gjatë dhe luftuan heroikisht në luftën e fundit me Serbinë.

Të nderuar deputet, përcaktimi i drejtë i votës suaj me 1 Shtator, jo vetëm që parandalon humbjen e territorit të vendit, e përshpejton ndaljen e keqqeverisjes dhe shumë proceseve tjera negative që janë duke u zhvilluar në dëm të së ardhmes së shtetit të Kosovës.

Janë këto dhe shumë arsye të tjera që e bëjnë votën e juaj të shenjtë dhe më vlerë historike.

Andaj para se të votoni, lexojeni edhe një herë betimin e deputetit, të cilin po ua servojë më poshtë;

 

Betimi i Deputetit

Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit dhe me standardet evropiane”.

1 Shtatori, edhe pse ditë e enjte, do të mbetët si dita “D” e demarkacionit, e mbrojtjes së integritetit territorial të Republikës së Kosovës apo e kundërta e saj,…e votimit të tradhtisë kombëtare!

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*